Rusia "hakmarrje" ndaj Finlandës

Vendimi i Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO ka shkaktuar nervozizmin e Rusisë, e cila paralajmëron se do të detyrohet të marrë “hapa hakmarrës”, ndaj shtetit fqinj.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse është thënë se ky vendim do të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet bilaterale, ashtu sikurse sigurinë dhe stabilitetin në veri të Evropës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në deklaratë vendimi i Finlandës përshkruhet si "ndryshim radikal në politikën e jashtme të shtetit”.

“Rusia do të detyrohet të marrë hapa hakmarrës, si në aspektin tekniko-ushtarak, por edhe të natyrave tw tjera, në mënyrë që të neutralizojë kërcënimet për siguri kombëtare, që dalin nga ky vendim”, thuhet në reagimin e Ministrisë ruse.

Megjithatë, Moska nuk ka specifikuar se çfarë planesh ka.

Zëvendës-përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polvansky, ka thënë se Suedia dhe Finlanda do të mund të bëhen shënjestra të mundshme për Rusinë, nëse bëhen anëtare të NATO-s, ka raportuar Agjencia ruse e Lajmeve, RIA.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja e këtij shteti, Sanna Marin, kanë bërë thirrje që Finlanda të aplikojë për anëtarësim, “pa vonesa”.

Finlanda ka një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë dhe deri më tani ka qenë jashtë NATO-s, për të shmangur antagonizmin e fqinjit të saj lindor. Megjithatë Finlanda pritet marrë këtë vendim të dielën, pasi kjo çështje të diskutohet në parlament dhe nga disa figura të larta shtetërore.

Vetë Presidenti finlandez ka thënë se Moska është shkaktare e vendimit për anëtarësim.

“Përfshirja në NATO nuk do të jetë kundër askujt. Ju e keni shkaktuar këtë. Shiheni veten në pasqyrë”, ka thënë ai para gazetarëve, duke iu drejtuar palës ruse.

Edhe Suedia ka thënë se do të marrë vendim të ngjashëm në ditët në vijim.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se pret që procesi i anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës të ndodhë shpejt.