Koleksionisti i Ibrahim Kodrës/ Biznesmeni nga Kavaja prej 20 vitesh blen e ruan vepra të piktorit të njohur

Ibrahim Kodra është ndër të rrallët piktorë që ka lartësuar artin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Rreth 40 vepra të tij origjinale, të paekspozuara më parë, janë blerë në ankande e ruhen nga një biznesmen nga Kavaja.

Nga ky vizatim me laps plumbi në moshën 8-vjeçare e deri te pikturat në moshë të vonë, Genc Sinella ka koleksionuar shumë vepra të mjeshtrit Ibrahim Kodra.

Piktorin e ka njohur personalisht pas një takimi të parë në vitin 2002.

I dashuruar me artin e tij prej 20 vitesh biznesmeni që jeton mes Kavajës e Italisë mbledh e ruan piktura origjinale të Kodrës të pa ekspozuara më parë.

“Jam takuar në Porto Kanone, ku mjeshtri ka inauguruar skulpturën 4 stinët. Për mua janë të gjitha të rëndësishme. Mund të bëhen 40 piktura, 6 janë të formatit të madh, pastaj janë disa të tjera të formateve të ndryshme e teknikave të ndryshme.”

Nga ato që ka koleksionuar së fundmi veçon një për median. Thuhet se Ibrahim Kodra ka pasur marrëdhënie të mira me gazetarët, shumë prej tyre i kishte miq.

“Kjo bëhet fjalë për gazetarinë, për median, dhe është një nga veprat unikale të stilit të saj. Po të shikosh janë të veçanta.”

Ibrahim Kodra piktori më i njohur shqiptar në arenën ndërkombëtare ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara në muze privatë, koleksionistë por vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

Miqësia me Pablo Pikason pati ndikime dhe në artin e tij aq sa të njëjtat gazeta spanjolle që shkruanin për Pikason e tregonin Kodrën si "post kubisti i fundit në Evropë".