Berisha: Dështimi me BE-në për faj të Ramës, e ka shndërruar Shqipërinë në kanabistan

Ish-kryeministri, Sali Berisha, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se integrimi i Shqipërisë është shndërruar në një horizont që largohet çdo ditë nga ne, jo për shkak të BE, por prej qeverisë që e ka shndërruar Shqipërinë në prodhuese të drogës.

Teksa e cilësoi si vrasje shtetërore vdekjen e Ilvi Metës në komisariatin e Kavajës, Berisha përmendi edhe presionin e qeverisë ndaj fjalës së lirë, mediave.

"Sot integrimi i Shqipërisë është shndërruar në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga ne dhe kjo jo për shkak të Europës por kryekëput për shkak të shndërrimit të Shqipërisë në kanabistan. Në vendin më të korruptuar të Europës dhe një nga më të korruptuarit e planetit, në vendin ku drejtësia vendoset terësisht në kontroll të ezekutivit, ku mediat janë në një censurë të rreptë dhe në terësi lirirë dhe të drejtat nëpërkëmben çdo ditë nga një regjim që ka zëvendësuar shtetin ligjor me narkoshtetin."

Berisha u ndal tek prokurori, Arjan Ndoja, që u përjashtua nga vettingu, ku theksoi se ky i fundit ka tabulate me përgjime ku dëgjohet Rama që flet me bandat kriminale.

"Kërkoj një komision hetimor urgjent parlamentar për dëshminë publike të prokurorit Arjan Ndoja, i cili thotë se e kam të rëgjistruar kryeministrin duke diskutuar me banda dhe banditë".

Nga foltorja e Kuvendit Berisha denoncoi se Rama, me porosi të presidentit turk Erdogan, po i bën presion kreut të Komunitetit Mysliman për dorëheqje.

"Informohem se ka dërguar njerëz për ti bërë presion kryetarit të Komunitetit Mysliman për të dhënë dorëheqjen sepse sipas këtij këtë kërkon presidenti i Turqisë Erdogan". 

Ndër të tjera ish-kryeministri akuzoi se Bordet e Transparencës të ngritura nga qeveria pas rritjes së çmimeve, nuk janë gjë tjetër vetëm "shushunja" po kaq të tmerrshme sa monopolet, pasi po vjedhin paratë e qytetarëve.