Prençi kritik: Departamenti i Hetimit të Krimit, prej kohësh me këmbë në frena. Paraburgimi i ri pezull për preventivin e bërë keq
Ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prençi, shprehet kritik nga punës së policisë së shtetit.
Në një inervistë për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi thotë se puna e policisë ka mbetur vetëm te statistikat e fryra në favor të saj në letër ndërsa në teren asgjë.
Prençi: Treguesit e policisë prej shumë vitesh mbeten vetëm shifra në letra. Kur një lidership vazhdon të policojë në organizën e policisë prej 12 mijë anëtarësh vetëm duke fryrtë shifrat në favor të policisë ka mbaruar gjithçka. Në gjithë Shqipërinë nuk kemi goditje të krimeve të rënda.
Kemi vetëm shoqërim të drejtuesve të mjeteve që përdorin alkool dhe lëndë narkotike, ndonjë goditje të ndonjë vjedhje si ajo e Kavajës dhe nuk kemi goditje të krimeve të rënda, dhe sidmos të krimeve të vjetra pa autor. Departamenti i Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë prej kohësh ka vendosur këmbën në frena në raport me ecurinë e zbulimit të ngjarjeve me impakt në komunitet.
Duke komentuar ngjarjet fatale në ambientet e paraburgimit, Prençi thotë se kushtet atje janë më të rënda se në qelitë e burgimit.
Ai shtoi se godina e re e planifikuar për këtë qëllim ka mbetur peng edhe për 4 muaj të tjerë nga papërgjegjshmëria e institucioneve që e kanë bërë gabim preventivin.

Prençi: Në plan të parë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë prej dy muajsh ku kanë ndodhur tre fatkeqësi, se kemi dhe Korçën, duhet të kishte hartuar një letër porosi ku ti tërheqin vëmendjen Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike për përmirësimin e kushteve në dhomat e shoqërimit dhe ndalimit, garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të atyre që shoqërohen dhe ndalohen dhe respektimine legjislacionit për ti marrë në pyetje në prani të avokatit apo psikologut.
Kriminaliteti që ka për subjekt punonjësin e policisë duhet të vërë në lëvizje Agjencinë për Mbikqyrjen Policore që të konstatojë ku shkelet ligji nga punonjësi i policisë në raport me qytetarin që shoqërohet dhe ndalohet. Në Shqipëri kushtet më të mira i kanë të dënuarit që kanë një vendim të formës së prerë për një ngjarje kriminale, kurse personat që prezumohen të pafajshëm keqtrajtohen qoftë në pikëpamje të kushteve, qoftë në pikëpamje të sigurisë.
Pas raporteve nga Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit Drejtoria e Policisë del me një reklamë fasadë duke thënë që po ngre një shtëpi të re për të ndaluarit dhe të shoqëruarit në rrugën "Mine Peza" me 10 dhoma për të shoqëruarit dhe të ndaluarit dhe një për ndihmën mjekësore. Por rezulton se do edhe 3-4 muaj të vihet në dispozicion se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Ministria e Brendshme me strukturat përgjegjëse për këtë nuk kanë hartuar si duhet preventivin dhe cilësinë e punimeve sipas standardeve që kërkon një dhomë, lavamanet dhe banjot nuk janë prej metali por prej porcelani që i shoqëruari mund ti thyejë dhe ti përdorë për tu vetëflijuar apo kanë ndarjet metalike me kryqëzime hekurat ndërkohë që duhet ti kenë vertikale për mos rrezikuar vetëvarjen. Nuk ka përgjegjshmëri në raport me investimet që bëhen për një institucion ku trajtohen të shoqëruarit dhe të ndaluarit për faktin se atyre u privohet liria për 10 orë por mund të jenë të pafajshëm.
Kritik është dhe me vendimin e bashkisë Tiranë për të lënë autobusin në Lanë si instalacion ndërgjegjësimi për qytetarët.
Prençi: Shërbeu si shembull shumë i keq instalimi i autobusit mbi Lanë si stanjacion për të keqen. E keqja nuk të ndërgjegjëson, masa dhe dënimi të ndërgjegjëson.
