Talasemia, shqiptarët dhurojnë gjak, nevojat çdo ditë e në rritje

Në Ditën Botërore të Talasemisë shumë qytetarë i janë bashkuar thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për të kryer këtë vepër humatitare. Ndërkohë, sipas Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në 2021 ishin 35,000 dhurime në total, 5,000 më shumë se në 2020-ën.

Solidarizimi për dhurimin e gjakut nuk është ndalur asnjëherë nga qytetarët.

Edhe në Ditën e Talasemisë shumë i janë përgjigjur thirrjes për ti ardhur në ndihmë çdokujt që ka nevojë për gjak.

Ky i ri bën thirrje që të gjithë të dhurojnë gjak, duke kryer një vepër humane.

"Kam dhuruar herë të tjera, e bëj për të ndihmuar kush ka nevojë. Të vijnë të dhurojnë dhe të tjerët."

Nevojat janë të larta, veçanërisht për fëmijët talasemikë, por sipas mjekes Dorina Xhafa banka e gjakut ka arritur të plotësojë të gjitha kërkesat për ndihmë.

"Sfida më e madhe për bankat e gjakut është rekrutimi i dhuruesve vullnetarë. Vetëm dhuruesit vullnetarë mund të na sigurojnë sasi të nevojshme gjaku dhe mbi të gjitha të na sigurojnë gjak të sigurt. Për fëmijët talasemikë përpiqemi që çdo herë të marrin të paktën një njësi pavarësisht sesa nevoja ata kanë. Kronikët janë të tjerë pacientë që kanë shumë nevojë, aksidentet janë një tjetër kategori që kanë nevojë për shumë njësi gjaku."

Sipas Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në 2021 ishin 35,000 dhurime në total, 5,000 më shumë se në 2020-ën.

Këtë vit janë rreth 1070 dhurime vullnetare dhe 4500 familjare.