Doza e katërt e vaksinës për të moshuarit, mjekët: Edhe për personat me imunitet të dobët

Mjekët e familjes rekomandojnë që personat mbi 60 vjeç dhe ata me imunitet të dobët të kryejnë dozën e katërt të vaksinës anti-covid. Injeksioni përforcues duhet të merret 4 muaj pas aplikimit të dozës së tretë.

Personat mbi 60 vjeç e veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje kronike këshillohen të marrin dozën e katërt të vaksinës anti-covid.

Ajo duhet të kryhet të paktën katër muaj pas injeksionit të tretë.

"Te personat mbi 60 vjeç duhet aplikuar te të gjithë. Këta persona kanë një tendencë që të kenë sëmundje të fshehura siç është diabeti, tensioni të cilat mund të mos kenë shfaqur akoma probleme", tha mjekja.

Mjekja Ornela Çela thotë se doza e katërt rekomandohet edhe për më të rinjtë se 60 vjeç të cilët kanë imunitet të dobët.

"Mund të kenë sëmundje shoqëruese që kompromentojnë imunitetin e tyre, pra imuniteti është më i dobët. Këta persona përbëjnë një risk më të lartë të Covid dhe ëhstë e domosdoshme aplikimi i dozë së katër të vaksinës", tha mjekja.

Përmirësimi i situatës së pandemisë ka zbehur interesin e qytetarëve për t'u vaksinuar. Me ritme të ngadalta ka ecur procesi kryesisht te fëmijët.

"Është shumë herë më i vogël  se sa të rriturit. Është e rëndësishme dhe te pjesa e fëmijëve, por më shumë theksojmë te fëmijët që kanë një imunitet të dobësuar", tha ajo.

Sipas të dhënave të Our World in Data deri më tani në Shqipëri janë vaksinuar plotësisht vetëm 43% e popullsisë ose rreth 1 milionë banorë.