Nga rënia e flokëve te problemet me zemrën, pasojat post-Covid te popullata
Covid 19 ka lënë gjurmë në shëndetin e shumë prej personave të infektuar.
Mjekët e familjes në vazhdimësi janë përballur me fluks pacientësh të cilët po vuajnë pasojat që ju ka lënë virusi.
Mjekja, Ornela Çela, thotë se problemi me frymëmarrjen është shqetësimi më i shpeshtë që ndeshet te pacientët.
"Ka shumë persona që kanë zhvilluar spok, zbllokim frymëmarrje dhe vazhdojnë akoma trajtimin me pompa. I kemi çuar te Dispanceria që ndiqen."
Te shumë të tjerë Covid ka shkaktuar probleme kardiake si dhe rënie të flokëve.
"Ka persona që mund të kenë zhvilluar një aritmi nga Covidi dhe ndiqen te kardiologu, ka persona që kanë probleme me lëkurën ose që ankohen për rënie të flokëve. Janë goxha të shpeshta."
Mjekja Çela thotë se më tepër pasoja virusi ka lënë te mosha e tretë, por nuk përjashtohen as të rinjtë.
"Për rënien e flokëve kryesisht janë moshat e reja që ankohen më shumë, për pjesën e problemeve të zemrës dhe pulmonare janë moshat e treta."
Disa ekspertë të shëndetit kanë shtruar nevojën e krijimit të një strukture të posaçme për trajtimin e pasojave post-Covid por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap.
