Viroza që po “mundon” fëmijët
Virozat e pranverës po prekin në masë fëmijët. Temperaturë e lartë, të vjella dhe diarre janë disa nga simptomat që shafqen te të vegjlit.
Javët e fundit, një virozë që shkakton të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë po prek në masë fëmijët.
Mjekët thonë se shkak janë luhatjet e shpeshta të temperaturave.
Më së shumti kjo virozë ndeshet tek fëmijët nga mosha 1 deri në 10 vjeç.
"Kemi fëmijë që vijnë m temperaturë të lartë, të vjella, diarre, të përziera, anoreksi. Në këtë rast kemi të prekur traktin gastrointestinal, deri në momentin që nuk fillon temperatura ngelet në stadin e një viroze të thjeshtë. Fëmijët kanë qenë të zbehtë, temperatura ka qenë 38-39 edhe më e lartë dhe shpesh ka qenë e vështirë për tu kontrolluar në shtëpi", tha pediatri.
Mjekët ngrenë shqetësimin se fëmijët paraqiten në gjendje të rënduar në spital.
Bektash Mandri, mjek pediatër pranë Qendrës Shëndetësore nr 10 në kryeqytet këshillon prindërit që të jenë më të vëmendshëm ndaj simptomave që mund të shfaqin të vegjlit.
"Prindërit shpesh herë neglizhojnë që t'i sjellin fëmijët për vizitë. Madje ata i sjellin...arsyeja pse vijnë këtu është temperatura e lartë 39-40 që nuk e kontrollon dot në banesë. Por kur ka shkuar temperatura 40 mund të ketë mbi një javë fëmijë i sëmurë. Nëse bie oreksi, nëse fëmija është pak më i dobët se zakonisht, humori nuk është ai që ishte në këtë moment duhet të lindë kujdesi dhe prindi duhet të shikojë se ka diçka që nuk shkon te fëmija im", tha mjeku.
Për të shmangur dehidratimin mjekët rekomandojnë që fëmijët të konsumojnë shumë lëngje si dhe të ushqehen shëndetshëm.
