‘Luftë’ për Ditën e Fitores, Zelenski: Nuk do ta lejojmë Rusinë të përvetësojë 9 Majin
Dy ish-vendet sovjetike Ukraina dhe Rusia kërkojnë të eklipsojnë meritat e njëra-tjetrës për Ditën e Fitores së Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë të Adolf Hitlerit. Presidenti Zelenski thotë se Ukraina do të fitojë dhe se nuk do ta lejojë Vladimir Putinin të përvetësojë 9 Majin.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha të hënën se Ukraina nuk do të lejojë që Rusia të përvetësojë fitoren në Luftën e Dytë Botërore, duke folur në përvjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste nga Bashkimi Sovjetik.
“Sot ne festojmë Ditën e Fitores kundër Nazizmit. Dhe ne nuk do të japim asnjë pjesë të vetme të historisë sonë. Ne jemi krenarë për paraardhësit tanë të cilët bashkë me kombet e tjera në një koalicionin anti-Hitler mposhtën nazizmin. Dhe ne nuk do të lejojmë ndonjë të aneksojë këtë fitore. Ne nuk do ta lejojmë atë që të përvetësohet.“
Lideri ukrainas renditi disa qytete ukrainase që aktualisht janë nën kontrollin e forcave ruse dhe tha se ukrainasit gjatë Luftës së Dytë Botërore i dëbuan forcat e Gjermanisë naziste nga këto rajone.
“Mariopuli, Khersoni dhe gadishulli i Krimesë na frymëzojnë sot, ato na japin besim se do t’i dëbojmë pushtuesit nga toka jonë. Ne fituam atëherë, ne do të fitojmë edhe tani. “
Ukraina u sulmua nga Rusia në fund të muajit shkurt, ndërsa Moska pretendoi se nisi një operacion special ushtarak të pjesshëm për gjoja denazifikuar vendin.
Si Ukraina ashtu edhe Rusia i kanë krahasuar veprimet ushtarake të palës tjetër me ato të Gjermanisë naziste, e cila humbi nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1945 dhe festohet në 9 maj në të gjitha vendet ish-sovjetike.
