Covid shtoi infarktet/ Mjekët: Problemet e zemrës po prekin edhe moshat e reja

Covid-19 shtoi rastet e infarketeve. Mjekët ngrenë shqetësimin se sëmundjet e zemrës po prekin edhe moshat e reja. Për të shmangur komplikacionet dhe fatalitetet mjekët bëjnë thirrje për kontrolle të shpeshta.

Covid-19 shtoi numrin e personave me probleme kardiake në Shqipëri.

Mjekët thonë se gjatë pandemisë u rritën ndjeshëm rastet e infarkteve, veçanërisht te moshat e reja.

“Për shkak të faktorëve që Covid-19 ka dhënë, kryesisht me infarktet, kemi pasur shumë raste që na kanë ardhur me këtë mekanizëm. Pas Covid-19 ka pasur shumë infarkte edhe në moshat e reja.”

Mjeku Kardiolog, Taulant Gishto thotë se virusi ka lënë pasoja afatgjata te personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.

Teksa pandemia duket se është drejt fundit mjekët po përballen me numër të lartë pacientësh që kanë nevojë për trajtimin e pasojave post Covid.

“Më të rrezikuara janë moshat mbi 45-vjeç për meshkujt dhe mbi 55 për femrat, dhe më të rrezikuarit janë individët me sëmundje bashkëshoqëruese,diabeti, tensioni dhe sëmundjet trashëguese.”

Sipas të dhënave të INSTAT problemet kardiake janë një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri. Humbjet e jetës për shkak të sëmundjeve kronike të zemrës zënë gati 33% të të gjithë vdekjeve.

Për të shmangur komplikacionet dhe fatalitetet mjekët bëjnë thirrje për kontrolle të vazhdueshme.