SHBA konfirmon paketën e ndihmës ushtarake prej 150 milionë dollarësh për Ukrainën

Sekretari i shtetit amerikan Antony Blinken ka konfirmuar paketën e fundit të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën , të shpallur nga presidenti Joe Biden ditën e djeshme dhe ajo kap vlerën e 150 milionë dollarëve.

"Unë kam autorizuar 150 milionë dollarë në armë, pajisje dhe furnizime shtesë amerikane për Ukrainën për të përforcuar mbrojtjen e saj për të kundërshtuar ofensivën e Rusisë në Lindje”, njoftoi Blinken përmes një postimi në rrjetin e tij social Twiter.

Me paketën e fundit të ndihmës së sigurisë prej 150 milionë dollarësh për Ukrainën, ndihma ushtarake e Uashingtonit për Kievin që nga fillimi i pushtimit rus ka arritur rreth 3.8 miliardë dollarë, tha Blinken.

Ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden shkruan "SHBA po vazhdon mbështetjen tonë të fortë për popullin e guximshëm të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë vendin e tyre. Unë po njoftoj një paketë tjetër ndihme sigurie që do t'i sigurojë Ukrainës municione artilerie, radarë dhe pajisje të tjera shtesë".