Rusia rinis sulmet ndaj ‘tempullit ukrainas’

Forcat ruse kanë rinisur sulmet në fabrikën e çelikut në Mariopul, Azovstal edhe pse Moska shpalli një armëpushim tre ditor të enjten, gjoja për evakuimin e civilëve.

Rusët kanë përdorur avionë për të sulmuar ushtarët ukrainas që gjenden brenda fabrikës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Rreth 2000 ushtarë dhe qindra civilë gjenden të ngujuar në fabrikën famëkeqe, i cili është tempulli i vetëm i ukrainasve në një qytet të shkatërruar dhe të rrethuar nga forcat ruse.

Në adresimin e tij të mesnatës, presidenti Zelenski tha se brenda uzinës gjenden dhjetëra persona të plagosur, por megjithatë ai potencoi se ata nuk do të dorëzohen.

Luftimet në fabrikën Azovstal vijnë ndërsa trupat e Moskës vijojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës, në Donbas megjithëse sipas inteligjencave të huaja, nuk raportohet për ndonjë përparim të madh, madje forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e disa territoreve të zaptuara nga rusët.

Megjithatë Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se përpjekjet për të kapur fabrikën Azovstal dhe për të marrë plotësisht Mariupolin mund të jenë të lidhura me festimet e Ditës së Fitores nga Rusia, e cila kërkon t’ia shesë popullit rus si një fitore në Ukrainë.

Humbja e Mariupolit do ta shkëpuste Ukrainën nga një port i rëndësishëm në Detin e Azovit. Po ashtu, do t’i jepte Rusisë mundësinë që të krijonte një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë, të aneksuar në vitin 2014.