Tensione, avionët kinezë shkelin hapësirën ajrore të Tajvanit
Përkundrejt luftës në Ukrainë, një vatër e nxehtë që ka vëmendje të shtuar amerikane janë edhe tensionet mes Kinës dhe Tajvanit. Ngushtica detare mes Tajvanit dhe Kinës mbetet një vatër e nxehtë dhe potencialisht e rrezikshme ushtarake në të ardhmen.
Tajvani ka njoftuar se forcat ajrore kineze ndërmorën një inkursion në hapësirën ajërore të vendit ishullor. 18 avionë kinezë hynë në zonën e mbrojtjes ajrore tajvaneze, tha ministria e Mbrojtjes.
Tajvani, një territor i pretenduar nga Kina, ka njoftuar së fundmi për misione të përsëritura nga avionët kinezë gjatë dy vjetëve të fundit.
Për ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, një faktor që ndikon në këto tensione është edhe lufta në Ukrainë.
Rusia dhe Kina, sipas analistëve perëndimorë, kërkojnë të ndryshojnë rendin botëror të pas Luftës së Dytë Botërore.
Tajvani është aktualisht në një gjendje alarmi të lartë për shkak të frikës se Kina mund të përdorë pushtimin rus të Ukrainës për të bërë një lëvizje të ngjashme ushtarake në vendin ishullor.
Por qeveria e Taipeit nuk ka raportuar ndonjë shenjë se Pekini do të sulmojë.
Për rastin nuk ka pasur një reagim nga ministria e Mbrojtjes së Kinës.
Më herët, gjiganti aziatik i ka përshkruar misione të tilla për të mbrojtur sovranitetin e vendit dhe për të kundërshtuar "përplasjen" me forcat e huaja-një referencë, sipas analistëve, për mbështetjen e SHBA-ve për Tajvanin.
Edhe Japonia gjithashtu raportoi këtë javë se tetë anije detare kineze, përfshirë një aeroplanmbajtëse, kaluan midis ishujve të Okinawas.
Kina është e vendosur që vendin ishullor, Tajvanin, ta marrë nën kontrollin e saj, dhe ngushtica detare mes Tajvanit dhe Kinës mbetet një vatër e nxehtë dhe potencialisht e rrezikshme ushtarake.

