Propaganda me zgjedhjen e presidentit, analistët: Votimi me zarf shfaqje e Ramës, emri është paracaktuar
Mazhoranca i ka lënë datën katër maj si afat opozitës për të nisur negociatat e për të propozuar kandidatët për Presidentin e ri.
Proceduarat e ndjekura deri më tani nga shumica parlamentare, përfshi këtu votimin me zarf të deputetëve socialistë, analistët e zhvillimeve politike i shohin si shfaqje e propagandë të kryeministrit Rama.
“Më rezulton më tepër një lloj ambalazhimi nga pikëpamja e marrëdhënieve, publike por jo domosdoshmërisht që do të çojë në një vendimarrje të ndryshme nga vendimarrja e Ramës.”- tha Ermal Hasimja.
Neritan Sejamini thotë se emri i ri i kreut të shtetit është caktuar qysh herët nga Kryeministri.
“Jam i bindur se Rama e ka vendosur se kush është figura që do të jetë president i Republikës dhe e gjithë kjo është është një shoë propagandistik dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga ngjarje të tjera politike."
Por çfarë Presidenti i duhet Shqipërisë? Si duhet të jetë ai?
“Në radhë të parë duhet të ishte një president normal, të përpiqej të ishte mbi i palët. Duhet të jetë një person që i njeh institucionet, e njeh e shtetin shqiptar.”- tha Ermal Hasimja.
Përveç kësaj kërkohet të qëndroj larg interesave politike.
“Do kisha preferencë për një president që këtë post ta ketë si fundin e karrierës së tij dhe jo si një post që ai mund të ketë përfitime me vazhdimësi politike. Është një post që duhet të jetë mbi postet e tjera.”- tha ai.
Analisti Neritan Sejamini thotë se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 e kanë zbehur rolin e Presidentit. Sipas tij kreu i shtetit duhet të kishte më tepër mekanizma kontrolluese ndaj shumicës.
“U hoq elementi më i rëndësishëm i presidentit, e drejta për të kthyer ligje, të cilat mund të miratoheshin sërish vetëm me 2/3 e vendit. “- tha ai.
Por për politologun Ermal Hasimja në një republikë parlamentare është normale që presidenti të jetë më pak i fuqishëm se Kryeministri.
“Koherenca e sistemit kërkon që peshorja e pushtetit të anojë nga ana anë ose nga tjetra në mënyrë që vendi të jetë i qeverishëm. Nuk mund të kemi një president të fortë dhe një Kryeministër të fortë.”- tha ai.
Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri pritet të zhvillohet më 10 maj por deri më tani përveç aludimeve nuk ka emra konkretë kandidatësh.

