Osmani: Serbia po minon dialogun, Kosova bëri maksimumin për një marrëveshje për targat
Presidentja Osmani thotë se Kosova bëri çmos për një marrëveshje për targat, por Serbia e bllokoi dialogun. Procesin mes dy palëve e komentoi edhe presidenti letonez, për të cilin tha se nuk duhet t’i ndalet rruga evropiane Kosovës, pavarësisht progresit.
Presidentja, Vjosa Osmani, në një konferencë për mediet me presidentin letonez në Prishtinë, ka deklaruar se Kosova bëri maksimumin për të arritur marrëveshjen për targat me Serbinë, por sipas saj Beogradi e bllokoi procesin.
Për procesin e dialogut foli edhe presidenti i Letonisë, Egils Levits, i cili nënkuptoi se Kosova e ka bërë punën e saj dhe argumentoi se mos përparimi në dialog, nuk duhet ta lërë Kosovën mbrapa në procese të tjera.
"Nëse nuk kemi një progres të madh kjo nuk duhet të jetë pengesë për Kosovën në procese të tjera, dialogu Kosovë Serbi është i rëndësishëm, por edhe nëse nuk ka progres, ekzistojnë mënyra të tjera që Kosova të integrohet në korniza evropiane".
Presidenti Levits, i cili vizitoi të enjten edhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e një turi në Ballkanin Perëndimor, tha se shteti i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e NATO-s.
"Është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe dhe mendoj që tani është koha e duhur për ta bërë këtë hap të mirë. Është me rëndësi hyrja e Kosovës në NATO, Letonia është duke e përkrahur këtë hap".

