Lajçak kërkon vazhdimin e bisedimeve për targat
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të takohen sërish për të diskutuar për çështjen e targave të makinave, pasi më 21 prill palët dështuan të arrinin një marrëveshje të përhershme për këtë temë.
"Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të vënë në rrezik sigurinë në terren", porositi Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Pas takimit trepalësh, kryenegociatori i Kosovës, Bislimi tha se marrëveshja për targat nuk u arrit për shkak të "mosgatishmërisë" së Serbisë.
"Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit", tha Bislimi, pas një takimi trepalësh në Bruksel.
Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.
