Gjukanoviç i ‘hipën’ dëshira për pushtet: S'mund të jemi në opozitë, jemi partia më e madhe

Millo Gjukanoviç nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga pjesëmarrja në qeverinë e 43-të të Malit të Zi, megjithëse kanë rënë dakord që Dritan Abazoviç të jetë kryeministër, i cili do të votohet në 28 prill. DPS-ja e presidentit i ka bërë të qartë partisë së shqiptaro-malazezit se forca e tyre nuk mund të jetë në opozitë.

Seanca për votimin e qeverisë së re në Mal të Zi do të mbahet në 28 prill, ku me gjasë shqiptaro-malazezi Dritan Abazoviç do të bëhet kryeministër i vendit, si i mandatuar nga presidenti i vendit.

Por përpara se të shkojnë te votimi, dy aktorët kryesorë të qeverisë së pakicave duket se nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët për funksionimin e kabinetit të ri qeverisës.

Bëhet fjalë për Lëvizjen Qytetare URA të Abazoviç dhe partinë më të madhe në vend të presidentit Millo Gjukanoviç, Partia Demokratike e Socialistëve, të cilës duket se i ka hipur dëshira sërish për pushtet.

DPS-ja e Gjukanoviç, e cila ka 30 deputetë në Kuvendin malazez ka thënë në muajin shkurt, kohë kur ra edhe qeveria e Krivokapiç, se do ta votojë qeverinë e re të Abazoviçit, edhe pa marrë pjesë në të.

Në fillim të kësaj jave, Gjukanoviç në një takim me partinë e tij, tha se me ardhjen e qeverisë së pakicave në pushtet, edhe partia e tij do të merrte funksione të rëndësishme, të cilat i konfirmoi edhe Abazoviç në daljen për mediet të mërkurën, kur konfirmoi se nuk shihte ndonjë problem që mbështetësit e partisë së presidentit të merrnin funksione publike në administratë.

Të premten, zëdhënësi i partisë së Gjukanoviçit, Millosh Nikolliç reagoi ndaj një deklarate të sekretarit të URA-s së Abazoviç, i cili tha se DPS nuk do të marrë pjesë në qeveri, por vetëm do të mbështesë punën e qeverisë së re të pakicave.

Nikolliç përmes një postimi në rrjetin social Twitter i tha zyrtarit se DPS është 9,6 herë më e madhe se Lëvizja Qytetare URA dhe nuk mund të jetë në opozitë.

Nikolliç: “Radovaniç me siguri ka qenë nervoz dhe duke u përpjekur për të kënaqur publikun, gjithçka i shkoi keq. Dua t’i kujtoj se DPS është maxhorancë në Kuvend dhe nuk mund të jetë në opozitë, kjo është absurde. DPS është 9,6 herë më e madhe se partia që ai përfaqëson.”

Partia Demokratike e Socialistëve ka 29 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi nga 81 ligjvënës në total, përkundrejt 3 deputetëve që ka Lëvizja Qytetare URA e Abazoviç.