Gruevski dënohet me 7 vjet burg për “Parcelat në Vodno”, Mijalkov 1 vit e 3 muaj
Një gjykatë në Shkup dënoi sot me shtatë vjet burg ish-kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski, me akuzën e përvetësimit të 1.3 milionë eurove nga partia që ai drejtonte VMRO-DPMNE dhe përdorimin e tyre për të blerë nje tokë ndërtimi.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski është dënuar me 7 vite burg dhe 3500 euro gjobë për rastin “Parcelat në Vodno”. Kushëriri i tij dhe ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijalkov, u dënua me një vit e tre muaj burg. Biznesmeni Orce Kamçev u dënua me një vit burg, ndërsa kumbari i Gruevskit, Risto Novaçevski u dënua me dy vjet me kusht.
Në mesin e të pandehurve është edhe Nenad Josifovic, i cili u dënua me dy vjet me kusht, si dhe Ratka Kamçeva, e cila lirohet nga akuza për shkak se krimi është i vjetëruar.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe kundër tij lejohet ankesë në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit në Shkup. Sipas aktakuzës, i pandehuri Nikolla Gruevski, në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2012, ka përvetësuar 1,3 milionë euro, si pjesë e parave që janë dhënë si donacione për financimin e partisë dhe nuk i ka paraqitur si donacione të pranuara.
Në aktakuzën për Gruevskin thuhet se ai në mesin e vitit 2012 ka marrë vesh se persona të cilët kishin emigruar nga vendi përmes ndërmjetësuesve shisnin tokën prej rreth 11 mijë metrash katrorë në Vodno dhe i kërkoi Mijallkovit që ta ndihmojë për ta blerë këtë tokë, për të fshehur burimin e parave.
Sipas aktakuzës, Mijalkov kontaktoi të pandehurin Nenad Josifovic, i cili zotëronte një kompani offshore tashmë të regjistruar në Belize dhe ra dakord që kompania të ishte themeluesja e një kompanie vendase që do të përdorej për të blerë tokën. Risto Novaçevski, kumbari i martesës së parë të Gruevskit, bëhet menaxher i kompanisë vendase.
Pas arritjes së marrëveshjes për çmimin e blerjes, sipas aktakuzës, në disa raste në llogarinë devizore të kompanisë së Shkupit, paratë janë hedhur në qarkullim përmes llogarisë së kompanisë Belizeane, ndërsa Novaçevski si menaxher i kompanisë, nënshkroi një marrëveshje blerjeje me pronarët e tokave, ku bleu një pyll me sipërfaqe 11255 metra katrorë dhe pagoi 1.2 milionë euro.
Në vitin 2015 këto parcela janë shndërruar në parcela ndërtimore dhe pjesa e kompanisë nga Belizeja është bartur në emrin e Jordan Kamçevit dhe nënës së tij Ratka Kamçeva dhe parcelat janë ndarë në tre pjesë.
Po ashtu, Gruevski, sipas aktakuzës, si zyrtar me qëllim që të fshehë pronën e fituar gjatë ushtrimit të detyrës shtetërore, e cila tejkalon të ardhurat e tij të raportuara në pyetësor, ka ofruar të dhëna jo të plota për pasurinë e paluajtshme që posedon, e cila është fiktive në emër të të pandehurit Novaçevski.
Në anketën pronësore nuk i ka raportuar dy banesa në Shkup me sipërfaqe 38 dhe 57 metra katrorë, tokë ndërtimore në Qendër në Shkup me sipërfaqe prej 2729 metra katrorë dhe dy parcela ndërtimore në Krushevë.


