Bisedime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Kreu i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres do të udhëtojë javën e ardhshme në Kremlin dhe Kiev për të negociuar korridoret humanitare të luftës dhe mundësinë e armëpushimit. Ai do të takohet me Putinin të martën dhe më pas në Kiev me Zelenskin.
Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pritet që të hënën të jetë në Moskë për të zhvilluar në vijim një takim kokë më kokë me liderin rus Vladimir Putin dhe me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai do të shkojë më pas edhe në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe kryediplomatin Kuleba.
Guterres ka bërë thirrje më herët që palët të bien dakord për korridore humanitare nëpër qytetet e shkatërruar nga lufta në Ukrainë. Ai do të takohet me zyrtarët e tjerë të OKB-së për të rritur ndihmat humanitare për Ukrainën.
Kjo vizitë e Guterresit në Moskë vjen pikërisht 2 muaj pas sulmit pushtues që ndërmori Kremlini ndaj fqinjit të vet më 24 shkurt. Deri më tani dëmet ekonomike nga lufta në Ukrainë llogariten në rreth 1 trilion dollarë, teksa me mijëra viktima civile.
Situata paraqitet e rënduar në Lindje të Ukrainës, ku rusët kanë ndërmarrë një sulm të ri. Në Mariupol po negociohet për korridore humanitare, pasi mbi 100 mijë qytetarë kanë muaj pa drita, ujë dhe bukë. Ndërkohë, nga zona të tjera të Lindjes nuk ka informacion të saktë pasi reporterët ndërkombëtarë e kanë thuajse të pamundur të shkojnë në ato zona që kontrollohen nga rusët.
OKB-ja nuk ka mundur të luajë një rol qendror në këtë luftë sepse vendet anëtare të Këshillit të Sigurisë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Kina dhe Rusia janë të ndara në qëndrime. Kina ka refuzuar të dënojë pushtimin, duke e përshkruar Rusinë si viktimë të përpjekjeve perëndimore për ta dobësuar atë.
