Lajçak në Beograd: Presim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e dialogut
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, më 20 prill, tha se shtetet e bllokut presin që të dyja palët të zbatojnë të gjitha gjërat për të cilat janë marr vesh gjatë dialogut të zhvilluar në dhjetë vjetët e fundit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Presidenca serbe, Lajçak tha se do të vazhdojë të angazhohet në vazhdimin e dialogut nën ndërmjetësimin e BE-së, pa vonesa të mëtejme.
Ndërkaq, në një postim në Twitter, Lajçak tha se ka biseduar me Vuçiçin për të gjitha çështjet që aktualisht janë në agjendë, përfshirë edhe për takimin e ri të nivelit të lartë.
Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si bartës së dialogut, për herë të fundit janë takuar në korrik të vitit 2021.
Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës serbe, thuhet se Vuçiç gjatë takimit tha se kanë kaluar nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe “ende nuk ka përparim në zbatimin e obligimeve të Prishtinës, para së gjithash për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe. Serbia pret që marrëveshjet e arritura të respektohen dhe zbatohen plotësisht”.
Takimi Vuçiç-Lajçak u mbajt në një ditë para se të skadojë afati kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje për çështjen e targave të makinave.
Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës, simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në targa mbulohen me letër ngjitëse, u arrit më 30 shtator të vitit të kaluar, që kishte për qëllim të ulte tensionet në veri të Kosovës.
Më pas u formuna grupet punuese, të cilat deri më 21 prill duhet të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat “bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së”.
