Mediat serbe: Beogradi dhe Prishtina, marrëveshje në Bruksel për shkëmbimin e të dhënave të Arkivave

Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakord të shkëmbejnë të dhëna arkivore, të cilat mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur nga të dyja palët, ka mësuar H1 në Bruksel. Informacioni do të jepet "me kërkesë" nga të dyja palët, jo automatikisht.

Çështja e arkivave ishte një nga pengesat. Serbia posaçërisht insistoi në “hapjen e arkivave të UÇK”, ndërsa Prishtina deklaron se nuk ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiva të asaj periudhe.

Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, Serbia do të përdorë marrëveshjen aktuale për arkivat për të përcaktuar fatin e 568 personave të zhdukur në Kosovë, sepse Beogradi beson se do të mund të gjejë informacione për këtë në "arkivat e UÇK-së".

Një raund i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka nisur mëngjesin e sotëm në Bruksel.

Deri më tani ka përfunduar një raund i takimeve dypalëshe të Miroslav Lajçak me të dyja palët. 

Bisedimet do të vazhdojnë pasdite në të njëjtin format, me takimin e delegacionit të Beogradit me Miroslav Lajçak.

Çështja e hapjes së arkivave në Serbi dhe në Kosovë, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999, ka nxitur polemika dhe debat në skenën politike në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe udhëheqës i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, më 9 shtator të vitit të kaluar, pati deklaruar se në takimin në Bruksel, më 7 dhe 8 shtator, pala serbe ka deklaruar se janë të pajtimit që të hapen arkivat e saj në Serbi, por që edhe pala e Kosovës t’i hapë arkivat shtetërore “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se autoritetet e vendit janë të hapura dhe transparente dhe fati i të pagjeturve duhet të zbardhet.

Kosova ende vazhdon të kërkojë 1,630 persona, kryesisht shqiptarë, të zhdukur gjatë luftës më 1998-1999.