Lajçak: U takon kryenegociatorëve të arrijnë marrëveshje për targat

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se më 20 prill është mbajtur takimi i fundit i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e targave.

Sipas tij, u takon kryenegociatorëve të të dyja shteteve të arrijnë një marrëveshje për këtë çështje, gjatë takimit të tyre më 21 prill.

“Sot, ekspertët nga Kosova dhe Serbia u takuan për herë të fundit në kuadër të grupit punues për targat e makinave, para afatit të fundit të 21 prillit. Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.

Më 21 prill, në Bruksel do të takohen kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës, simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në targa mbulohen me letër ngjitëse, u arrit më 30 shtator të vitit të kaluar, që kishte për qëllim të ulte tensionet në veri të Kosovës.