Avokati mbron Llallën me sëmundjen, Kreu i SPAK Arben Kraja: S'e pengoi të ishte kryeprokuror. Zbardhet debati në Gjykatën e Lartë

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Ilir Panda rrëzuan kërkesën e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla për pezullimin dhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit penal.

Ora News sjell detaje nga seanca gjyqësore që u mbajt sot paradite në Gjykatën  Lartë.

Adriatik Llalla i cili aktualisht ndodhet në Romë në gjykatë u përfaqësua nga avokati i tij Sokol Hazizaj ndërkohë që akuza u mbrojt nga vetë kreu i SPAK, Arben Kraja.

Avokati para gjykatës paraqiti disa epikriza të cilat vërtetonin se Adriatik Llalla vuante prej 12 vitesh nga një sëmundje e parikuperueshme.

Madje këto epikriza sipas avokatit kanë qenë shkak që Gjykata e Apelit e Romës të ndryshojë masën e sigurisë dhe të lërë të lirë Adriatik Llallën, por duke i hequr të drejtën të largohet nga Roma. Prandaj avokati Hazizaj kërkoi nga Gjykata e Lartë të merrte parasysh këtë vendim dhe këto epikriza.

Kreu i SPAK Arben Kraja në emër të prokurorisë kërkoi që të refuzohej kërkesa e Llallës pasi kjo kërkesë është refuzuar dhe nga dy gjykatat, Gjykata e Posaçme dhe e Apelit.

Kraja pretendoi se sëmundja e Llallës është gjë e njohur dhe jo e tanishme madje  se kjo sëmundje nuk e ka cënuar që ai të kryente dhe poste të larta shtetërore.

 Gjithashtu në institucionet tona të vuajtjes së dënimit të dënuarit kanë kujdesin shëndetësore dhe nëse janë të sëmurë mund të marrin trajtimin në spitalin e burgut dhe QSUT.

Ekstradimi?

Sipas Krajës  nga informacionet zyrtare që ka marrë, Llalla është arrestuar në Romë. Gjykata e Apelit e Romës ka ndryshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg” por ka urdhëruar që ai të mos largohet nga Roma deri në një vendim të dytë që do të merret për ekstradimin ose jo të tij. Kjo kërkesë e autoriteteve shqiptare  ende nuk është marrë në shqyrtim nga drejtësia italiane.