Ashtu si Llalla edhe Tahiri kërkon pezullimin e dënimit, avokati: I rrezikohet jeta nga krimi në burg
Pas ish-prokurorit Adriatik Llalla, edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar ndërprerjen e dënimit.
Kështu avokati i tij ka kërkuar që vendimi për Tahirin i Gjykatës së Posaçme të Apelit është vënë në ekzekutim menjëherë në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe në shkelje te të drejtave dhe lirive themelore të shtetasit Saimir Tahiri, pa respektuar procedurën ligjore.
Avokati bën me dije se duke parashtruar se në rastin konkret vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të pandehurit Saimir Tahiri, mund të sjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin si dhe për familjen e tij.
Më tej në kërkesë shtohet se Tahiri ka mbajtur funksionin e ish Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë ai rrezikon dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier dhe se edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasoja të mundshme.
Sipas avokatit të Tahirit është e qartë që vendimi nr. 03, datë 04.03.2022 i Gjykatës së Posaçme të Apelit është një vendim i marrë në shkelje flagrante të ligjit sa i përket procesit të rregullt ligjor dhe vijimi i ekzekutimit të tij cenon rëndë jo vetëm interesat e të dënuarit Saimir Tahiri, por edhe të drejtësisë.
Për këto arsye kërkohet shtyrje e ekzekutimit të vendimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dënoi me 3 vite e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Shkalla e parë e dënoi Tahirin me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul dënimi me 1/3, dhe u vendos që të mos bënte burg, por shërbim prove për 3 vite e 4 muaj.
Pikërisht kjo masë lehtësuese u hoq nga Apeli duke çuar kështu në burg ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë socialiste.
