Turizmi/ Hoxha: Mungon organizimi. Për shkak të luftës do kemi 100 mijë turistë më pak

Eksperti i turizmit, Ismail Hoxha në një intervistë për Ora News, tha se viti 2022 do të jetë viti më i mirë i turizmit në vendin tonë, në krahasim me dy vitet që lamë pas.

Ndër të tjera ai tha se duhet që shteti të ketë fokus në turizëm pasi sipas tij mungesa e organizimit është një nga faktorët që ndikon negativisht në këtë sektor.  

Ismail Hoxha: Mendoj se do të jetë një viti më i mirë për turizmin se gjitha vitet që lamë pas. Ne do kemi turistë, për arsye se në dy vitet e fundit s’kemi pasur turistë fare dhe kjo do bëjë që të ketë më shumë që do vijnë. Si datë të çeljes së sezonit kemi 1 majin, por si datë praktike është periudhë turistike në raport me njerëzit që vijnë.

Duhet të ketë fokus dhe organizim për turizmin në vendin tonë.

Ai tha se nuk dinë se nga do vijnë turistët këtë vit ndërsa shton se s’ka asnjë reagim nga Ministria e Turizmit. Ai tha se si pasojë e luftës 100 mijë turistë do i mungojnë Shqipërisë këtë vit.

Ismail Hoxha:  Duhet të ishte Ministria e Turizmit të orientonte se si do të shkojë ky vit turistik. Nga do vijnë turistët, nga lindja, perëndimi apo rajoni. Arsyeja që vjet erdhën njerëz për të vizituar Shqipërinë, ishte se shteti hoqi vizat dhe tamponin. Sivjet është harruar ajo çështje. Sivjet do kemi 100 mijë shtretër më pak vetëm për efekt të luftës. Ukraina ishte e organizuar, mbushte të gjithë pjesën kryesore të Durrësit, Kavajës dhe një pjesë të Vlorës.  Ne s’kemi një mbështetje të shtetit, është shumë e vështirë të lidhësh marrëveshje individuale.