Fshati pa ujë e rrugë, banorët në Grabovicë të Pogradecit: Asnjë investim në zonën tonë
Fshatrat e thella në vendin tonë kanë mbetur pa investime, e ndërsa për shkak të tyre banorët po braktisin fshatin. Në Grabovicë të Pogradecit, banorët apelojnë për investime në rrugë, kanalizime e ujë.
Banorët në fshatin Grabovicë të Pogradecit nuk kërkojnë paga të larta, madje as ulje taksash. Kërkesaa e tyre është për të mos e lënë fshatin të braktiset.
Dhe që fshati të mos braktiset, ata kërkojnë investime.
Kanalizimet e rrugët janë shqetësimet e të gjithë banorëve.
"Fshati jonë vuan prej kohësh për investime, rrugët i kemi jo të mira, kanalizimet e ujërave të zeza janë për ibret."
"Një kanal nuk është pastruar, asnjë gjë."
"Nuk dalim dot nga balta, ujërat e zeza nëpër këmbë."
Edhe pse në fshat, uji i pijshëm shkon vetëm një herë në ditë pak minuta.
"Unë që e lëshoj ujin e lëshoj me orar. Një herë në dite 2 orë ujë. Kur vjen behari është krizë. Dy lagjeve u lëshoj paradite, dy lagjeve pasdite."
Njerëzit po largohen nga aty, e bashkë me ta edhe bagëtitë që nuk i mban më askush.
"Gjysma e fshatit është larguar dhe vazhdojnë të ikin. Nuk e përballojnë dot jetën është shumë e vështirë."
"Fshati jonë kishte 1000 e kokë dele tani ka 200-300, lopë 100 e ca ndërsa tani…"
Me këto probleme që kërkojnë zgjidhje nga institucionet përballen 200 banorët e fshatit Grabovicë çdo ditë, ndërsa premtimet kanë qenë të shumta, zgjidhjet jo.
"Sa herë ka votime premtojnë por asgjë nuk është bërë."

