I riu vdiq nga mbidoza, arrestohet personi që ishte me të dhe e fshehu në bunker

Mariglen Isufi është personi ndaj të cilit Policia e Tiranës i ka komunikuar masën e arrestit me burg për vdekjen e mistershme të Ilir Markut.

Ky i fundit u gjet i pajetë brenda një bunkieri në zonën e Institutit të mërkurën.

28-vjeçari Isufi akuzohet nga policia për veprën penale “fshehje të kufomës”, ndërsa hetimet zbuluan se bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, ditën para se të gjendej trupi ku kanë konsumuar lëndë narkotike.

Dyshohet se Isufi jo vetëm ka patur dijeni për vdekjen e të riut nga mbidoza, por edhe e ka zhvendosur trupin disa metra nga vendi ku kanë qëndruar së bashku për në brendësi të bunkerit.

Ai e ka fshehur ngjarjen me frikën se do të arrestohej nga policia, teksa kjo e fundit ra në gjurmët e tij pas provave që mblodhi qoftë në vendin e ngjarjes, por edhe nga dëshmitë e të njohurve të cilët rrëfyen se të dy njiheshin për shoqërinë me njëri-tjetrit dhe konsumimin e lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

- M. I., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e dë vërtetës".

Sipas veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi M. I., është lidhje shoqërore me shtetasin I. M., 36 vjeç, i cili u gjet ditën e djeshme, në një bunker, pa shenja jete dhe pa shenja dhune.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, më datë 17.04.2022, kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike, dhe shtetasi I. M., ka gjetur vdekjen, ndërsa shtetasi M. I., ka transportuar trupin e të ndjerit në bunker, duke kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.