Ulen aksidentet në mars, 14 viktima dhe 145 të plagosur në rrugë
Tirana dhe Lezha mbeten qarqet më problematike për aksidentet rrugore, ndërkohë që sipas INSTAT, drejtuesit e mjeteve, kryesisht të rinjtë, janë përgjegjësit kryesor të këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë muajit të kaluar. Shifrat tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar në total 285 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 46 persona.
Aksidentet rrugore mbeten në shifra të larta edhe në muajt e parë të këtij viti edhe pse me një rënie me rreth 12 % në raport me janar-mars 2021.
Shifrat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se edhe muaji i kaluar ka 20 aksidente më pak se marsi i vitit të kaluar.
Statistikat tregojnë rënie edhe në treguesit e tjerë si numri i të aksidentuarve apo dhe i fataliteteve.
Numri i të aksidentuarve gjatë marsit është 145 nga 150 persona që regjistroheshin gjatë muajit mars të vitit 2021. Ulje ka pasur dhe numri i viktimave nga aksidentet ku raportohet se janë shënuar 4 viktima më pak.
Ndërkohë, sjellja e drejtuesve të mjeteve vijon të mbetet shkaku kryesor i ngjarjeve që përgjakin rrugët e Shqipërisë.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë gjithashtu se në 93% të rasteve përgjegjës janë drejtuesit e makinave, ndërsa vërehet një ulje e ndjeshme e aksidenteve si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25-34 vjeç duke zënë rreth 30 % të numrit të përgjithshëm të aksidenteve.
Sipas qarqeve, kryeqyteti ka numrin më të lartë të aksidenteve, i ndjekur nga Lezha, Gjirokastra dhe Durrësi.
Sa i përket viktimave nga aksidentet, kryeqyteti dhe qarku i Durrësit kanë numrin më të madh.
