Uji i çezmave fut në "sherr" Ballukun me Tabakun, Rama pranon të jetë eksperimenti: Do ta pi dhe do bëj video
“Brenda 5 vitesh do të kemi ujë 24 orë në Tiranë.”
Kjo deklaratë e korrikut të vitit 2017 mbetet ende një premtim i pambajtur i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sot, pesë vite më pas, qeveria njofton se do të marrë një kredi prej 80 milionë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve me qëllim furnizimin me ujë të kryeqytetit.
"Vlera totale e projekti është 144 milion e 500 mijë. 80 mln euro janë hua nga Banka Evropiane e Investimeve dhe pjesa tjetër investim nga fondet e UK", tha Balluku.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kujton premtimin e pambajtur.
"Fakti është që po vijnë dhe po kërkojnë sot një kredi të 5 viteve më parë, për fonde që i kanë marrë nga qytetarët e Tiranës për një premtim të pambajtur", tha Tabaku.
Por edhe uji qe vjen ne çezma me orar është i pakonsumueshëm , denoncon Tabaku.
“Qytetarët e Tiranës nuk e pinë dot ujin, asnjë nga ne këtu në parlament nuk e hap çezmën dhe të pijë nga çezma. Rasti i Krujës, qytetarët u helmuan, ky është standardi i kësaj qeverisje", tha Tabaku.
Kryeministri Rama iu përgjigj duke vendosur sërish veten si eksperiment për të konfirmuar se uji në Tiranë nuk është i ndotur.
“Meqë zonja Tabaku foli për ujin e Tiranës që askush nuk e pi nga çezma sepse mund të helmohet, sot me t'u kthyer në shtëpi do pi ujë nga çezma dhe jam i gatshëm nëse Tabaku do më presë në shtëpi, do pi edhe aty ujë nga çezma dhe do e bëj video dhe do e hedh në Tik-Tok”.
Ndërkohë, përtej batutave te kryeministrit , deputetja demokrate paralajmëroi gjithashtu se qytetarët do të përballen me tarifa më të larta të ujit pasi çmimi pritet të rritet ashtu siç ka ndodhur dhe me energjinë elektrike.
