“Të mos dyshosh te Rama duhet të jesh i çmendur”, Baçi: Do bëjë president atë që do vet
Deputeti demokrat Luan Baçi, dyshon te mënyrat që Edi Rama, po përdor për të zgjedhur presidentin e ri.
Në një intervistë për Ora News, Baçi tha se Rama do të vendosë president atë që do, ndërsa shtoi se opozita nuk do të bëhet lolo i Ramës, i cili thotë se do të bëjnë negociata për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ai tha se kreu i qeverisë nuk është serioz në atë që i ofron opozitës.
Luan Baçi: Të mos dyshosh te Rama duhet të jesh i çmendur. Basha ngaqë i ka besuar shumë herë e ka ngrënë nga Rama dhe e la tërë kohën në opozitë, duke e mashtruar, gënjyer ose duke bashkëpunuar. Kanë pasur bashkëpunim shumë të ngushtë dhe reciprok. E njëjta skemë po vazhdon të përsëritet. Rama po hedh në treg shumë variante të ndryshme për mënyrën se kush do të zgjedhë presidentin, mbledhë deputetë dhe u thotë që të shkruajnë sa emra duan president. Rama në fund do të bëjë president atë që do, që ta urdhërojë. Kam mendimin se Rama e ka përzgjedhur presidentin, e di ku do vendos, por këto i ka në vazhdimësi për të bërë atë lojën për të treguar se po zhvillon në mënyrë demokratike presidentin. Opozita nuk do bëhet lolo e Ramës. Ai nuk është serioz në atë që i ofron opozitës. Duke e parë në këtë prizëm dhe duke e ditur se kush është Rama dhe se sa joserioz është Rama edhe me të vetët e jo më me opozitën, është një budallallëk që të merresh me Ramën.
Teksa ka komentuar deklaratën e Ramës, i cili tha se nuk do të shkëpusë marrëdhëniet me PD-në nëse Berisha do të jetë në krye të kësaj partie, Baçi u shpreh:
Do ishte gjë e mirë që Rama të shkëpuste marrëdhëniet me PD-në. Marrëdhëniet që ka pasur Rama dhe vazhdon t’I ketë me atë që quhet PD, me drejtuesit e PD-së deri më tani e kanë çuar partinë në këtë deregje që është. Rama e ka drejtuar nga larg PD. Ka ndikuar fuqishëm në mënyrën se si PD ka bërë opozitën. Shkëputja e Ramës do ishte gjë e mirë. Rama është frikësuar se po shikon një opozitë që vërtetë bën opozitë.
Sipas tij deklarat e Ramës nuk është shqetësuese për demokratët.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
