Shehi: PD nuk ka bërë autokritikë dhe reflektim pas humbjeve, u rend pas pushteteve të humbura

Në “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi u shpreh se pas humbjeve opozita ka tentuar që të mbrojë territoret e pushtetit që ka lënë pas.

Ai tha se PD nuk ka bërë autokritikë dhe reflektim për këto humbje dhe ka braktisur çështje si ajo e reformës territoriale.

Shehi: Pas 2013-të kemi humbur dhe nuk është fundi i botës që humbën. Ama kur humbet nuk shihet pas dhe mbrohen territoret e pushtetit që kemi lënë pas, por të shihet para dhe bëhet autokritikë, por kjo nuk ka ndodhur në grupin e PD-së.

Ky grup ka ardhur duke u tërhequr pas duke mbajtur ato territore. U afruam për të bërë një reformë territoriale, por e braktisëm dhe ikëm. Askush nuk më jep një përgjigje pse ikëm, as Berisha dhe as Basha që ka qenë kryetar i partisë. Askush nuk kërkon pse nuk dolëm nga reforma dhe ia dorëzuam Edi Ramës pushtetin lokal.