Shkrumbohet zyra e noterit Vasil Martini në Lezhë, digjen dokumentet me vlerë
Flakët e zjarrit kanë përfshirë katin e parë të një objekti pranë kryqëzimit të semaforëve në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ në qytetin e Lezhës.
Nga zjarri janë shkrumbuar plotësisht zyrat e noterit të njohur Vasil Martini.
Ndërkohë zjarrfikësit të cilët mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë arritur që të shuajnë flakët, që të mos përhapen tek bizneset e tjera që ndodhen aty pranë.
"Nga këqyrja paraprake, administrimi i të dhënave dhe pyetja e personave që kanë dijeni për gjithë dokumentacionin që ndodhej në zyrën noteriale në momentin e rënies së zjarrit, konfirmohet se ka dëme të konsiderueshme dokumentacioni, por janë dokumentacione që mund sigurohen përsëri", bën me dije policia e Lezhës.
Sipas noterin Martini të gjitha dokumentet e djegura janë të ruajtura dhe në kompjuter.
Vazhdojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me ekspertë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për përcaktimin e shkakut të djegies dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 minuta të mëngjesit të së mërkurës, 20 prill.
