Shpopullimi, Tushi: Po plaket popullsia, qeveria duhet të përmirësojë kushtet e jetesës

Mosha mesatare në Shqipëri ka kaluar tashmë 38 vjeç duke rendur drejt plakjes së shpejtë. Shkaku kryesor mbetet largimi i të rinjve, që sipas INSTAT çdo vit e më shumë po preferojnë të largohen nga vendi.

Sociologu Gëzim Tushi, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj është shprehur se emigracioni  i popullsisë kryesisht të rinjve, ka pasoja shumë të mëdha, jo vetëm në plakjen e popullsisë por edhe në strukturën ekonomike.

Gëzim Tushi: Po largohen kryesisht të rinj, njerëz që kanë një përgatitje elitare, që duhet t’i përshtaten tregut të punës së perëndimit dhe kjo ka bërë që ky lloj emigracioni i vonuar ka filluar të ketë pasoja shumë të mëdha, jo vetëm në plakjen e popullsisë, por ka pasoja edhe në strukturën ekonomike dhe të forcave të punësimit.

Këtu po plaket popullsia, mund të jemi një nga vendet kryesore në Europë që kemi këtë dinamikë të plakjes së popullsisë, kjo lidhet jo vetëm me emigracionin, por edhe me modernizimin e familjeve.

Ai tha se qeveria duhet të ndërhyjë për të parandaluar largimin e të rinjve. Sipas tij shteti duhet të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës si dhe faktorëve të tjerë social, në mënyrë që të rinjtë të mos largohen.

Gëzim Tushi: Politika shqiptare, gjen parodigma dhe mbulesa për të justifikuar fenomenet sociale që ndodhin në Shqipëri. Politika duhet të përgatis kushtet për t’i mbajtur të rinjtë në vend. Mendoj se është i domosdoshëm edhe një lloj qëndrimi patriotik. Qeveria duhet të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës, kushteve sociale, ekonomike, të mirëqenies së pagesave, nivelit shëndetësor, uljen e kriminalitetit. Këto faktorë krijojnë te të rinjtë idenë  se ky vend është i pajetueshëm dhe se  mendojnë se duhet të ikin nga ky vend.