Vendimi i qeverisë: Nga 20 prilli ndalohet peshkimi në liqenet e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit
Përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare qeveria bën me dije se ndalohet peshkimi në liqenet e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës dhe Shkopetit.
Sipas vendimit të firmosur nga ministrja Frida Krifca, thuhet se bëhet ndalimi i peshkimit, me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve në këto liqene.
Vendimi parashikon që një gjë e tillë të futet në fuqi nga data 20 prill 2022 deri më 20 korrik 2022 për këto liqene.
Po ashtu përcaktohet edhe periudhat verore në të cilat ndalohet edhe peshimi me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 ml nga bregu.
Vendimi i qeverisë:
PËR NDALIMIN E PESHKIMIT NË LIQENET E OHRIT, PRESPËS, FIERZËS, ULZËS DHE SHKOPETIT
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës, pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.64/2012, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar,
URDHËROJ:
1. Ndalimin e peshkimit, me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve në liqenet e Ohrit (me përjashtim të koranit), Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit dhe konkretisht:
Për gjuhcën (cironka) Alburnus Albidus Alborella, prej 20 prillit deri më 20 korrik 2022, në liqenin e Ohrit dhe prej 1 prillit deri më 31 korrik 2022, për liqenet e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit.
Për krapin – Cyprynus Carpio, prej 20 prillit deri më 20 korrik 2022, në liqenin e Ohrit dhe prej 25 prillit deri më 25 maj 2022, për liqenet e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit.
2. Për periudhën 20.7.2022 deri më 20.8.2022, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 ml nga bregu për liqenin e Ohrit dhe për periudhën 25.4.2022 deri më 25.6.2022, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 150 ml nga bregu për liqenet e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit.
3. Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jetë në pikat e caktuara nga OMP-të përkatëse.
4. Për zbatimin e këtij urdhri, të hartohet një Plan i Përbashkët Operativ Veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, në koordinim me OMP-të përkatëse që ushtrojnë aktivitet peshkimi në këto liqene.
5. OMP-të të marrin të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve, ku peshqit kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në këto liqene.
6. Për zbatimin e këtij urdhri, ngarkohet Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit të liqeneve të Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit, duke bashkëpunuar me strukturat e qeverisjes vendore, Drejtorinë e Policisë së Rendit dhe atë Kufitare të qarqeve përkatëse.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTËR I BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL
Frida Krifca
