Pengmarrje në Tiranë për shkak te një borxhi, arrestohen dy autorët

Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë, pasi kanë marrë peng dhe kanë dhunuar fizikisht një qytetar.

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Sh. K., 37 vjeç, D. Ç., 37 vjeçe, ndërkohë është shpallur në kërkim e bashkëpunëtori i tyre, shtetasit S. P., 30 vjeç.  

Mësohet se dy autorët e arrestuar kanë marrë peng të riun për shkak të një borxhi. 

"Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi S. P., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K. dhe shtetasen D. Ç., kanë marrë peng dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht në banesën e shtetases D. Ç., shtetasin E. S., 31 vjeç, për shkak të një borxhi."- njofton policia. 

Ndërkohë mësohet se shtetasi Sh. K. kishte shkelur masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.