5 orë debate në PD, Alibeaj: Ja si do arrihet bashkimi. Berisha: Nuk e njoh si kryetar të grupit

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enklelejd Alibeaj dha një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes e cila zgjati rreth 5 orë. Ai tha se gjatë mbledhjes ka pasur disa diskutime për mënyrën se si mund të bëhet bashkimi i partisë, prandaj kanë vendosur që çdo deputet ta bëjë propozimin me shkrim dhe ta dorëzojë ditën e mërkurë.

Alibeaj: Berisha erdhi si gjithmonë. Unë i thashë të njëjtat gjëra, megjithatë vura re me kënaqësi që shumica dërrmuese e kolegëve të mi, e deputetëve të PD-së konstatuan në mënyrë të qartë, të plotë disa gjëra të thjeshta të cilat shkojnë drejt lëvizjes për bashkimin. Një proces i njëanshëm i filluar dhe që ka çoroditur strukturat e PD-së nuk të çon në bashkim. Ky është konstatimi i parë. Konstatimi i dytë, bashkimi do duhet të realizohet në bazë të një procesi organizimi të përbashkët, ku gjithë anëtarësia të përfshihet dhe mos ketë përjashtime. Pothuajse të gjithë deputetët dhanë zgjidhje që e ofronin pikërisht këtë gjë, në fund unë kërkova që nesër secili deputet të propozojë në mënyrë shtjelluese propozimin e vet. 

 

Votimi i riorganizimit të fillojë nga qeliza që është seksioni dhe pastaj te grup sesioni e pastaj te degët, me qëllimin e mirë që ajo që quhet strukturë e PD-së të jetë e plotë. Kjo u tha në shumicë dërrmuese disa herë nga deputetët të cilët e ofruan këtë si një zgjidhje.  Deputetët dhanë zgjidhje që synonin këtë gjë. Unë i ofrova deputetëve, dhe kështu e lamë, që nesër secili deputet pas kësaj mbledhje, të mund të shkruaj, të propozojë shtjellimin dhe propozimin e vetë. Siç ishte dhe propozimi i Lefter Gështenjës.

Pas 5 orësh debate me dyer të mbyllura ish-kryeministri Berisha në përfundim të mbledhjes së grupit demokrat tha se nuk e njeh më Enkelejd Alibeajn si kryetar grupi.

Berisha: Pas vendimit të tij për të paditur PD për llogari të qeverisë në Gjykatë unë mund tu them që ai për mua pushon së qeni kryetar  i grupit parlamentar.

Ndërkohë tej përplasjeve në grupin parlamentar të PD-së, Gjykata e Apelit vendosi të regjistrojë kërkesën e Alibeajt në emër të PD për të njohur ndryshimet e bëra në statutin e partisë më datë 18 dhjetor 2021.  Më herët Gjykata regjistroi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit që i dha PD Komisionit të Rithemelimit.