I nxjerrin nga shtëpitë, në Golem të Kavajës kërkohet shembja e banesave, banorët e kundërshtojnë
IKMT në Kavajë ka nisur të martën një aksion për prishjen e disa shtëpive në bregdetin e Golemit që sipas Bashkisë janë të pabanueshme, pasi janë dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të 2019. Por, një aksion i tillë është kundërshtuar nga banorët duke thënë se janë të paqartë me situatën dhe akuzuar se bashkia ka në plan të ndërtojë pallate në bregdet.
12 familje që jetojnë në zonën e Plazhit të Golemit, kanë 30 vite që paguajnë qira ndaj shtetit për këto ndërtesa.
Por mëngjesin e së martës, 12 prill Bashkia Kavajë dhe IKMT shkuan për t'i shembur objektet.
Ata hasë në kundërshtinë e banorëve të cilët thonë se duan t’i heqin nga aty për të ndërtuar pallate në bregdet.
"Mund të ndërtojnë vetë, hotel, pallat. Nuk e di. Por të kemi 30 vjet këtu dhe pas 30 vitesh të vijnë dhe të thonë për 3 ditë ikni."
Ky pretendim u rrëzua nga zyrtarët e Bashkisë të cilët thonë se këto godina janë të pabanueshme për shkak të dëmtimit nga tërmeti i nëntorit 2019.
"Ka ardhur vendimi që janë për tu shmebur si banesa sepse nuk janë të banueshme për momentin."
Bashkia u ka ofruar banorëve një bonus qiraje ndërsa ata thonë se janë hedhur ne rrugë, dhe nuk e pranojnë një vendim të tillë të drejtuesve vendore.
"Kemi qenë pagues të rregullt. Kjo që po bën kryetari i bashkisë është absurde. Ne kërkojmë t'ia lirojmë zotërisë, të na japin çelësat, të futemi në shtëpi, t'i fusim mallin edhe ta marrë atë që duhet për ta ndërtuar."
12 familjet ishin njoftuar pak më parë për të liruar banesat ndërsa pritet që të gjithë objektet të shemben, dhe bashkia ende nuk ka publikuar planin e zhvillimit të zonës.
