"Kuvendi i 30 prillit i pavlefshëm", Bardhi: Ankimimi në Gjykatë sipas ligjit, nuk e kemi dorëzuar selinë
Pas më shumë se 5 orësh debate, mbledhja e Grupit Parlamentar të PD përfundoi rreth orës 18:30.
Pas përfundimit të mbledhjes, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediet u shpreh se askush nuk duhet të shqetësohet nga ankimi që PD ka bërë në Gjykatë. Ai deklaroi se nuk e kanë dorëzuar selinë dhe beteja nuk është për karrige, por për bashkim.
Bardhi: Është një proces institucional ligjor. Nuk kemi marrë as çekiç, as gur për t'i rënë selisë. Alibeaj në cilësinë e kryetarit ka ndjekur rrugën e ankimit në Gjykatë. Tani i themi pse zbaton ligjin? Kjo është absurde. Nuk ka dorëzim të asnjë zyre. Beteja ime nuk ka qenë dhe nuk do të jetë betejë zyrash as betejë karrigesh.
Bardhi tha Berisha është një rast specifik pasi sipas tij nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupit parlament dhe do duhet të ndiqet një procedurë e veçantë nga Grupi që të jetë pjesë e Grupit Parlamentar. Shkak për këtë është procedura e ndjekur më 9 shtator, ku Lulzim Basha i cili mbante postin e kryetarit pezulloi Berishën pas shpalljes "non grata."
Bardhi nuk njeh as Kuvendin e 30 prillit i cili do të mbahet nga Komisioni i Rithemelimit. Sipas tij, është antiligjor dhe antistatuor.
Bardhi: Nuk ka një Kuvend të ligjshëm në 30 prill. Ai kuvend ishte caktuar në 22 mars dhe nuk ka një mbledhje tjetër që të caktohet në 30 prill. Kuvendi i 30 prillit është i paligjshëm dhe antistatutor. Afati i veprimtarisë statutore të atij që njihet si Komision i Rithemelimit ka qenë 3-4 muaj. Që do të thotë nga dje Komisioni i Rithemelimit është i paligjshëm, antistatutor edhe me vetë statutin që pretendohet se është miratuar. Këto procese të njëanshme që po lodhin çdo ditë demokratët nuk janë rruga që PD të ecë përpara. Bashkimi nuk ndodh me fjalë ndodh me akte.
Sipas Bardhit, akti i parë që duhet të kishte ndodhur është ndërprerja me çdo rrugë të njëanshme nga çdo palë brenda PD-së.
Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të hënë (5 prill), ankimimin në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 25 mars 2022, që njohu Statutin e miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, thirrur nga Sali Berisha.
