"U thirr në Gjermani t'i tërhiqet vëmendja për qëndrimet pro-serbe", Bytyçi: Rama raporte emocionale me Vuçiç
Analisti Enver Bytyçi në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj ka analizua vizitën e kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme, 11 prill në Berlin.
Në fokus të takimeve që Rama zhvilloi kanë qenë çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE, politikat e zgjerimit dhe sfidat e perëndimit përballë agresionit rus.
Analisti u shpreh se republika federale ka qenë dhe do të mbetet një vend shumë i rëndësishëm, madje promotor i gjithë zhvillimeve në gjithë Evropën e në veçanti në Ballkanin Perëndimor.
Bytyçi: Open Balkan është një iniciativë që e zëvendëson dhe deformon Procesin e Berlinit. Aktorët ballkanikë që nuk kanë pranuar Procesin e Berlinit, me Open Balkan synojnë objektiva dhe qëllime të tjera jashtë synimeve që kishte Procesi i Berlinit.
Por kryeministri Rama pretendon se SHBA, Gjermania dhe BE e mbështesin Ballkanin e Hapur.
"Në mënyrë kategorike jo", u përgjigj prerë analisti.
Bytyçi: Ne e kemi dëgjuar dhe e kemi parë se si Olaf Scholz ju përgjigj pyetjes për Open Balkan në konferencën për shtyp me Ramën. Ai tha "ne mbështesim Procesin e Berlinit" dhe gjatë gjithë konferencës së shtypit nuk e përmendi asnjëherë Ballkanin e Hapur. Gjermania nuk e ka mbështetur dhe nuk e mbështet. Arsyet e vërteta të mosmbështetjes janë se Open Balkan synon krijimin e super-mendësisë serbe në rajonin tonë dhe BE nuk dëshiron që një vend i caktuar në Ballkanin Perëndimor të imponohet te vendet e tjera.
Analisti tha se kjo përpjekje për tu imponuar te vendet e tjera çon në destabilizimin e rajonit. Interesi kryesor i Evropës, SHBA dhe vendeve demokratike është paqja dhe siguria sipas analistit.
Bytyçi: Rama me politikat që po ndjek në zhvillimet ballkanike ka devijuar nga orientimet e përgjithshme të BE, madje dhe SHBA. Vizita e tij në Berlin nuk ishte as për integrimin e Shqipërisë në BE, sepse nuk ka nevojë që një kryeministër të shkojë në Berlin të takojë kancelarin dhe presidentin për të marrë ose jo një feedback në integrimit evropian. Ai ka shkuar atje, është thirrur besoj unë që t'i tërhiqet vëmendja për qëndrimet e tij pro-serbe në një situatë kur Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë. Raportet e zotit Rama me Serbinë janë raporte emocionale, nuk janë raporte gjeopolitike, strategjike të Shqipërisë. Janë raporte personale, emocionale. Rama ndihet i qetë për armatosjen e Serbisë. Armatosje e Serbisë ka qenë dhe mbetet problemi themelor i destabnilizimit të rajonit. Këtë Rama nuk do ta shikojë sepse është i lidhur ngushtë emocionalisht me Presidentin e Serbisë.
Sipas analistit, Rama prej vitesh nuk ka reaguar ndaj qëndrimeve anti-shqiptare, anti-kosovare të Aleksandër Vuçiç sepse lidhshmëria midis tyre është një lidhshmëri emocionale, shpirtërore dhe vëllazërore të cilën e kanë deklaruar publikisht. Zoti Bytyçi nuk pret që Rama të gjykojë me gjakftohtësi dhe bazuar në kritere të tjera gjeopolitike dhe gjeostrategjike për interesat e Shqipërisë ato që ndodhin në Beograd dh Serbi.
