Gledis Nano "shkund" rrugoren, Drejtori i Përgjithshëm: Patrulla civile në çdo rrugë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i ka bërë thirrje vartësve të tij që të hartojnë një plan masash brenda ditës së sotme, 12 prill për të evidentuar shkeljet në qarkullimin rrugor. Nano dha urdhër që në datën 14 të fillojë zbatimi i planit. Gjithashtu Drejtori kërkoi që puna e policisë rrugore të kombinohet me patrullat civile me qëllim evidentimin e shoferëve që shkelin ligjin.
Nano: Vlerësoj punën e mirë të policisë rrugore Tiranë në drejtim të goditjes së rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e policisë rrugore. Vetëm gjatë 3 mujorit janë evidentuar mbi 50 raste të tilla. Nga ana juaj unë do të kërkoj një reagim emergjent për ndryshimin e situatës së qarkullimit rrugor në vend dhe do të kërkoj që sot hartimin e një plani masash nga Departamenti për Sigurinë Publike dhe deri ditën e nesërme njohjen e gjithë stafit tuaj me detyrimet e këtij plani.
Në datën 14 të fillojë zbatimi i planit në gjithë vendin, ku do ët fokusohemi në shkeljet e drejtuesve të mjeteve nga të cilat vijnë pasoja fatale. Në të gjitha qarqet që organizohet puna duhet kombinuar me patrullat civile, me mjetet e pauniformuara dhe duke përdorur të gjitha mjetet logjistike me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që nuk përdorin rripin e sigurimit, të atyre që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, kryejnë parakalime të gabuara, kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë dhe qarkullojnë me mjet nën efektin e alkoolit.

