Të pakënaqur nga Bordi, pensionistët i zë koka nga çmimet: Më mirë të vdesim se të rrojmë, gënjejnë popullin

Qytetarët shprehen të pakënaqur për çmimet e vendosura nga bordi i transparencës për produktet bazë të shportës. Ata shprehen se kontrolli duhet të shtrihet më gjerë në të gjithë listën ushqimore. Këto vështirësi tashmë nuk i ndjejnë vetëm pensionistët, por edhe familjet e reja.

Çmimet e vendosura nga bordi për produktet bazë të shportës janë të papranueshme nga qytetarët.

Ata shprehen se këto vlera janë sërisht të larta të papërballueshme, sidomos për pensionistët.

"Çe pyet! Koka na ka zënë, sidomos ne pensionistët".

Përzgjedhja e Bordit për të vendosur çmime tavan vetëm për orizin, sheqerin, vajin dhe miellin janë të pamjaftueshme sipas qytetarëve.

"Çfarë lëvizje është kjo? Kot fare, për të gënjyer popullin. Për të mashtruar.I kemi ulur thotë Bordi, ti ulin të paktën një 500 lekësh. Më mirë të vdesim sesa të rrojmë."

"Shumë të larta, njerëzit janë pa punë. 4 mijë lekë një bidon vaj, 230 lekë një kokërr vezë."

Edhe për familjet e reja situata është vështirësuar.

"Ka familje me një rrogë në shtëpi, 4-5 anëtarë. Unë vetë me një rrogë në shtëpi, kam dy fëmijë. Mezi i dilet se janë dhe uji dhe dritat."

Çokollatat, tashmë konsiderohen luks.

"Edhe çokollatat dhe patetinat i kanë ngritur, çdo gjë."

Të shqetësuar janë edhe bizneset e vogla, të cilët shprehen se janë më të goditurit nga kjo krizë teksa klientët më së shumti blejnë me listë.

Qytetarët i bëjnë thirje qeverisë që të rishikojë edhe njëherë çmimet e vendosura nga Bordi dhe të shtrijë në masë më të gjërë kontrollin mbi listën ushqimore.