Rritja e çmimeve nga lufta, Banka Botërore: 4 drejtimet për t'i përgjigjur krizës
Lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të paprecedentë me rritjen e çmimeve në të gjithë botën sidomos për artikujt ushqimorë. më të goditura janë vendet në zhvillim si Shqipëria. Banka Botërore ka prezantuar 4 alternativa për të reduktuar pasojat ku një nga drejtimet kryesore është mbështetja e shtresave me të ardhura më të ulëta dhe mbajtja hapur e tregjeve ushqimore.
Konflikti ushtarak Rusi-Ukrainë ka shkaktuar shtrenjtim të artikujve ushqimore në të gjithë botën, por më të ekspozuara janë vendet në zhvillim ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Për t’ju përgjigjur krizës së çmimeve të ushqimeve, drejtoresha e Menaxhimit të Politikave të Zhvillimit në Bankën Botërore, Mari Elka Pangestu ka paraqitur katër drejtimet që duhet të ndjekin shtetet për të reduktuar pasojat e kostove të shtuara.
Së pari, Banka Botërore sugjeron që të gjitha vendet të qëndrojnë të bashkuara për të vijuar normalisht tregtinë e ushqimeve.
Së dyti, zyrtarja e lartë vlerëson se familjet e varfra duhet të marrin mbështetje financiare ekstra për të përballuar çmimet e rritura të ushqimeve.
Kjo pasi shumë prej familjeve po shkurtojnë shpenzimet për shkak të reduktimit të të ardhurave dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Së katërti, rritja e çmimit të inputeve bujqësore është një tjetër pasojë e luftës, ndaj Banka Botërore këshillon mbështetjen e fermerëve që mos të rriten më tej kostot e produkteve.
Së katërti, Banka Botërore thekson se vendet në të gjithë botën duhet të punojnë për të rritur sigurinë ushqimore pavarësisht kapaciteteve monetare, fuqisë ekonomike dhe pozicionit gjeografik.
Ekspertja e lartë e Bankës Botërore thotë se nuk është koha për panik pasi rezervat globale të orizit, grurit dhe misrit mbeten historikisht të larta. Për grurin, mallin më të prekur nga lufta, stoqet mbeten shumë mbi nivelet gjatë krizës së çmimeve të ushqimeve në vitet 2007-2008, kjo pasi rreth tre të katërtat e eksporteve ruse dhe ukrainase të grurit ishin dorëzuar përpara fillimit të luftës.
