Will Smith jep dorëheqjen nga Oscars pasi qëlloi me shuplakë Chris Rock

Aktori amerikan, Will Smith, ka dhënë dorëheqje nga Akademia Oscars pasi goditi me shuplakë komedianin Chris Rock gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Oscars që u mbajt të dielën e kaluar.

Ai ka thënë se do të pranonte "çdo vendim" të vendosur nga organizata.

Në një deklaratë, Smith tha: "Unë i jam përgjigjur drejtpërdrejt njoftimit të seancës disiplinore të akademisë dhe do të pranoj plotësisht të gjitha pasojat për sjelljen time.Veprimet e mia në prezantimin e 94-të të çmimeve Oscar ishin tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”.

"Jam zemërthyer, lista e atyre që kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris , familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë ata që ishin të pranishëm dhe audiencën globale në shtëpi, - shtoi ai.

“Kam tradhtuar besimin e akademisë. I kam hequr të nominuarve dhe fituesve të tjerë mundësinë për të festuar dhe për të nderuar punën e tyre të jashtëzakonshme. Më është thyer zemra. Pra, unë po jap dorëheqjen nga anëtarësimi në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe do të pranoj çdo pasojë të mëtejshme që bordi i konsideron të përshtatshme,"- përfundoi deklaratën Smith.

Dorëheqja e Smith do të thotë se ai humbet të drejtën e votës, por ai ende mund të nominohet për një Oscar dhe të fitojë një çmim për çdo shfaqje të ardhshme.

Akademia tha se kishte pranuar dorëheqjen e Smith dhe do të "vazhdojë të ecë përpara" me procedimet disiplinore kundër aktorit 53-vjeçar për shkelje të standardeve të sjelljes.

Çështja do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të bordit më 18 prill, gjë që mund të çojë në sanksione shtesë.