U regjistrua me pasaportë italiane, por përfaqësoi Shqipërinë. Arbër Xhemali tregon pse humbi garën në bodybuilding

Ata janë stërvitur në mendje dhe në trup. Zhvillojnë dy disiplina sportive të ndryshme, por të dy e duan shumë sportin. Ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ishin të ftuar Arbër Xhemali, kampion në sportin e bodubilding, me dy trofe kombëtare, si dhe Leonsjo Guma, atlet, futbollist si dhe trajner i CrossFit-it. Arbëri rrëfeu në studio fillimet e tij në sport, ku tha se së pari ai është marrë me cirk.

“Ka rreth 7 vite që merrem me këtë sportë, dhe kurrë nuk kam menduar që të heq dorë. Në fëmijëri jam marrë me cirkun, bëhet fjalë për vite më parë kur jetoja në Dibër. Më pas kam jetuar disa kohë në Itali, dhe nga ajo kohë e deri më sot  nuk kam hequr më dorë. Të bësh trup, muskuj nuk do të thotë të shkosh të bësh ushtrime, por të mendosh për të nesërmen, sepse duhet të ushqesh muskulin”, tha Xhemali. 

Ndërkohë, edhe Guma u shpreh se pasioni dhe dashuria për sportin për të ka lindur që në fëmijëri.

“Që në fëmijëri jam marrë me sport, në fillim mu desh ta leja dhe u shkëput për një kohë fare të shkurtër. Por, më pas kam folur me një mikun tim edhe si është ajo shprehja dashuri me shikim të parë me CrossFit-in. Si fillim e nisa si stërvitje për veten time, më pas gradualisht kam arritur deri këtu ku jam sot. Të merresh me sport nuk është e lehtë, nuk duhet vetëm pasion, por vullnet për të punuar dhe durim të madh”, u shpreh Guma. 

Që të dy të ftuarit u ndalën në studio tek dietat e tyre ushqimore, pasi që të dy theksuan se të “bësh” trup, padyshim kriteri bazë është edhe ushqyerja shëndetshëm.

“Unë ushqehem të paktën 7 vakte në ditë, një herë në dy orë duhet të haj ushqim. Nëse flasim për dieta, të paktën 2 kg mish në ditë, çfarëdo lloj ushqimi të jetë, si peshk, fileto, etj.  Ndërsa, ushqime të tjera si orizi, veza, etj”, u shpreh Xhemali.

Ndërsa, teksa foli për ushqyerjen, Guma theksoi se femrat kanë më shumë vullnet se meshkujt për palestër.

 “Dieta ime nis me mëngjesin, që konsumimi i këtij vakti është shumë i rëndësishëm. Në ushqimet që futen tek sporti që unë aplikoj, janë në përgjithësi karbohidratet, etj”. Në këtë stinë kërkesat janë më të larta për të ndjekur palestrën, dhe përgjithësisht janë femrat më të disiplinuara sesa djemtë, ata kanë më shumë vullnet”, u shpreh Guma. Së fundmi, Arbëri tregoi në studio sesi humbi garën ballkanike, sepse u regjistrua me pasaportë italiane dhe përfaqësoi Shqipërinë.

“Në vitin 2019-të, kisha garën e fundit që u zhvillua në Itali, gara ballkanike. Aty u regjistrova me pasaportë italiane dhe gjatë kohës që po bëja regjistrimin më pyetën, kë do të përfaqësosh. Normalisht, që përgjigja ime ishte që do përfaqësoj Shqipërinë. Kjo ishte arsyeja që humba garën, dola i dyti”, përfundoi Xhemali.