Gjermania, Turqia e Polonia gati të bëhen garantues të sigurisë për Kievin, SHBA jo

Tre shtete kanë rënë dakord të bëjnë rolin e NATO-s për Ukrainën, për sa kohë Kievi hoqi dorë nga Aleanca, ndërsa Shtetet e Bashkuara duket se nuk janë gati që t’i ofrojnë këtë mbështetje Ukrainës e cila do të përforconte marrëveshjen me Rusinë.

Kryenegociatori i Ukrainës në bisedimet me palën ruse ka deklaruar se Gjermania dhe Turqia kanë shprehur gatishmërinë për të qenë garantues së sigurisë së Kievit në fushën e mbrojtjes për sa kohë vendi pro-perëndimor hoqi dorë nga anëtarësimi në NATO duke përmbushur kërkesën e Moskës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kreu i delegacionit ukrainas David Arahamija tha se kishte folur me presidentin turk Erdogan dhe ministren e Jashtme gjermane, Analena Bearbok të cilët i ofruan garancitë e sigurisë.

Edhe Polonia njoftoi të premten se ishte dakord që të bëhej një garantues i sigurisë së për Kievin sipas marrëveshjes së Stambollit Rusi-Ukrainë në 29 mars.

Ndërkohë media CNN e cila ka siguruar burime diplomatike bën me dije se Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin kërkesën e Ukrainës për t’u bërë garant sigurie në vend të NATO-s.

Pala ukrainase tha në 29 mars, se Kievi kishte kërkuar garanci sigurie nga disa shtete, në rolin e NATO-s për t’u vetëmbrojtur, për sa kohë që Ukraina hoqi dorë nga Aleanca.

Shtetet nga të cilat Ukraina kërkoi garanci ishin Mbretëria e Bashkuar, Kina, SHBA, Turqia, Franca, Kanadaja, Italia, Polonia dhe Izraeli.