SHBA e konsideron kërkesën e Rusisë për të paguar gazin në rubla si shenjë 'dëshpërimi' nga sanksionet

"Putini duket i izoluar, duket se ka shkarkuar disa nga këshilltarët e tij. Nuk do ta lejojmë të përdorë energjinë si armë" pralajmëroi të enjten presidenti amerikan Joe Biden.

Nga ana tjetër shefja e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Kate Bedingfield, duke komentuar kërcënimet e Vladimir Putin për të paguar gazin vetëm në rubla, u shpreh:

“Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i qartë dhe ne pajtohemi me të”.

Edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, tha të enjten se kërkesa e presidentit rus Vladimir Putin që blerësit e huaj të paguajnë për gazin rus në rubla është një shenjë e "dëshpërimit" ekonomik dhe financiar të Moskës.

Ai shtoi se ky dëshpërim është shkaktuar nga sanksionet perëndimore në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.

"Unë mendoj se në thelb ky është vetëm një tregues tjetër i gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet ekonomia e Rusisë," u tha Price gazetarëve në një konferencë të rregullt për shtyp, duke shtuar se u takonte vendeve evropiane të vendosin pë reagimin e tyre.

Sanksionet, kontrollet e eksportit dhe masat e tjera ekonomike të vendosura në përgjigje të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt kanë pasur "një efekt të rëndësishëm, thelbësor dhe të thellë" dhe kanë çuar në "dëshpërim ekonomik dhe financiar" nga ana e Rusisë, tha Price.

Një ditë më parë [presidenti Joe Biden urdhëroi futjen në treg për gjashtë muaj të 1 milion fuçive nafte në ditë nga rezervat strategjike të vendit me naftë, në një përpjekje për të ulur çmimin e saj, që shënoi një rritje të re me fillimin e agresionit të Moskës në Ukrainë.

“Nëse duam çmime më të ulëta të gazit, duhet të kemi më shumë furnizim me naftë dhe tani”, tha Presidenti Biden. "Ky është një moment pasojash dhe rreziku për botën e dhimbjeje tek pikat e karburantit për familjet amerikane", shtoi ai.

Presidenti Joe Biden akuzoi të enjten kompanitë amerikane të naftës se po gëzojnë fitime rekord ndërsa amerikanët po paguajnë çmime të larta për benzinën.

"Kjo nuk është koha për fitime rekord, është koha për veprime për të mirën e vendit tuaj", tha Presidenti Biden duke iu drejtuar kompanive që operojnë në këtë fushë.

Presidenti po i kërkon gjithashtu Kongresit t’i vendosë gjoba financiare kompanive të naftës dhe gazit në vend, që japin me qira toka publike, por që nuk prodhojnë.

Ndërkohë zoti Biden synon të përdorë një ligj federal për të inkurajuar masa që synojnë kalimin tek burimet më të pastra të energjisë dhe për të zvogëluar varësinë nga kaburantet fosile.

Të gjitha këto masa tregojnë se nafta vazhdon të jetë një pikë e dobët për Shtetet e Bashkuara.

Administrata synon që me këto lëvizje, siç është futja në përdorim e rezervave të naftës, të ushtrojë trysni për të ulur çmimin, por Presidenti Biden e ka ndërmarrë tashmë dy herë këtë veprim pa shkaktuar ndonjë ndryshim domethënës në tregjet e naftës.