Deklaratat e Alibeajt për Berishën, Ndoka: S’ka të drejtë për broçkulla të tilla, po mban hapur hendekun në PD
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha se dorëheqja e Lulzim Bashës nga kreu i PD, ishte një vendim i drejtë edhe pse ishte i vonuar.
Në një intervistë për Ora News, ai tha se Komisioni i Rithemelimit në aspektin politik e kishte fituar kauzën e vet.
Nard Ndoka: Ishte një vendim i drejtë, pak i vonuar, duhet të merrej kohë më parë. Por në fund të fundit u mor edhe në momentin e duhur politik e juridik, kur në njëfarë mënyre edhe kriza në opozitë kishte marrë një drejtim. Në aspektin politik, Komisioni i Rithemelimit e kishte fituar kauzën e vet.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e Enkelejd Alibeajt ndaj Sali Berishës duke thënë se nuk ka asnjë të drejtë morale e as institucionale për të bërë broçkulla të tilla.
Ndoka tha se në PD ai do të mbajë një hendek të hapur, në momentin kur po kërkohet bashkim i partisë.
Nard Ndoka: Habitem se si arriti Alibeaj der këtu. E kuptoj Bashën në hallin e tij por jo Alibeajn. Ai ndoshta thjesht ka mbetur si viktimë apo ka mbetur prej një fjale të thënë. Nuk ka asnjë të drejtë morale e as institucionale për të bërë broçkulla të tilla. Kur kërkohet koncensus, dialog dhe bashkim I PD, ai tenton të mbajë një hendek të hapur akoma.
Ndër të tjera ai shtoi se kriza në PD erdhi si pasojë e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD.
Nard Ndoka: Dihet se përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar, solli dhe krizën në PD. Ky përpiqet akoma ta mbajë këtë tension brenda partisë. Besoj se tashmë kjo është situatë e tejkaluar. Duket se i kishte premtuar Bashës për një gjë të tillë. Por kjo nuk është rruga e duhur, është humbje kohe.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
