Zjarri i rënë në komisariatin 5 la pas 1 viktimë, Gjykata mbyll në burg 2 efektivët e policisë

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy punonjësit e policisë Hajredin Boja dhe Fatmir Isufin.

Ata akuzohen nga Prokuroria për “shpërdorim detyre” pasi nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës, ku si pasojë 26-vjeçari Arben Mici i vuri zjarrin qelisë dhe humbi jetën nga asfiksia.

Prokuroria mundi të vërtetonte se ishte i riu Mici ishte ai që i vuri flakën me çakmak dyshekut të krevatit të qelisë.

Si pasojë e pakujdesisë së efektivëve përgjegjës, Mici u la të futej në qeli me çakmak me vete, ndërsa po ashtu u gjetën edhe një paketë duhani me tetë filtra, ndërsa në trup iu gjetën nëpër xhepa pesë cigare dhe një paketë.

Në dosjen e prokurorisë është përpiluar edhe raportit i shërbimit zjarrfikës të Kamzës të cilët kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin.

Sipas dokumentit thuhet se nga këqyrja e vendit të ngjarjes vërehet se te dhoma e izolimit ku ka filluar zjarri, ndodhet një krevat mbi të cilin vërehen mbetje te sfungjerit dhe të batanijeve të djegura nga zjarri, si dhe në anën e djathtë përballe krevatit dallohen grumbull materiali prej sfungjeri dhe rrobash të djegura, grumbull i cili mendohet të jetë dhe vatra fillestare e zjarrit.

Në raport thuhet: Djegia ka vazhduar duke u përhapur në anën e majtë nga krevati, ku shikohet se djegin sipërfaqësore e dyshekut dhe batanijes ka një masë gati 80%, duke mos u djegur e gjitha si pasojë e ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse.

Vatra zjarrit është në qelinë e parë në hyrje të dhomave të izolimit dhe nuk është përhapur në qelitë e tjera.

Ndërsa tymi është përhapur edhe në dhomat e tjera, përfshire edhe banjon, ku u gjet trupi i 26-vjeçari Arben Mici, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë.