Përkujtohet Princi Philip, falenderim për përkushtimin ndaj familjes e kombit
Një meshë përkujtimore është mbajtur për bashkëshortin e ndjerë të Mbretëreshës Elizabeth II, Princin Philip, gati një vit pas vdekjes së tij. Shërbesa ku morën pjesë personalitete të larta u mbajt në shenjë falenderimi për përkushtimin e Dukës së ndjerë ndaj familjes dhe kombit.
Mbretëresha Elizabeth II, u shfaq për herë të parë publikisht pas disa muajsh, në një përkujtimore për bashkëshortin e saj të ndjerë, Princin Philip, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare.
Monarkja, e cila mbush 96 vjeç muajin e ardhshëm, nuk ka marrë pjesë në një ngjarje të profilit të lartë jashtë shtëpisë të saj që kur kaloi një natë në spital tetorin e kaluar.
Pallati Buckingham konfirmoi pjesëmarrjen e saj në shërbimin përkujtimor të Princit Philip rreth dy orë para se të fillonte në Westminster Abbey në Londrën qendrore.
Ndryshe nga anëtarët e tjerë të familjes dhe mysafirët e saj, ajo mbërriti nga një hyrje anësore dhe përdori një shkop ecjeje, ndërsa u ndihmua nga djali i saj i dytë, Princi Andrew, 62 vjeç.
Kjo ishte dalja e parë publike edhe për Andrew që nga pushimi i një padie civile në SHBA për abuzime seksuale.
Ai zuri një vend në rreshtin e parë së bashku me vëllain e tij më të vogël, Princin Eduard. Vëllai i tij i madh Princi Charles, motra Princesha Anne dhe mbretëresha u ulën përballë.
Në meshë morën pjesë personalitete të larta dhe miq të familjes mbretërore në atë që u cilësua një shërbesë falenderimi për përkushtimin e Dukës së Edinburgut ndaj familjes dhe kombit.
Princi Philip, me të cilin mbretëresha ishte e martuar për 73 vjet, vdiq më 9 prill të vitit të kaluar, vetëm pak javë para ditëlindjes së tij të 100-të.

