Ruajtja e monumenteve nga bombardimet, qindra vullnetarë bashkë për t’i rrethuar me thasë me rërë

Qindra qytetarë ukrainas janë bërë bashkë nëpër qytete të ndryshme për të ruajtur nga bombardimet monumente të kulturës së tyre. Rusët ndërkaq kanë filluar të përdorin armatim të sofistikuar. Së fundmi, rusët pretendojnë se kanë përdorur raketa hipersonike, jashtëzakonisht të shpejta dhe që nuk kapen nga radarët, për të bombarduar objektivat ukrainas.

Lufta në Ukrainë ka kaluar tashmë një muaj që se forcat ruse hynë më 24 shkurt në territorin fqinj.

Teksa luftime dhe bombardime zhvillohen në çdo qytet, shumë qytetarë ukrainas kanë zgjedhur që të ruajnë disa prej monumenteve të tyre nga bombardimet e rusëve.

Me qindra vullnetarë janë bërë bashkë për të rrethuar me thasë rëre shtatore të ndryshme nëpër qytete.

Ndërhyrjet dhe bombardimet ruse edhe në zona me popullsi civile në Ukrainë kanë ngjallur reagim të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Amerikanët ndërkaq janë të shqetësuar për mundësinë e përdorimit të armëve kimike dhe biologjike nga ana e rusëve.

Së fundmi, inteligjenca britanike ka njoftuar këtë të hënë se kompania ushtarake private ruse, Ëagner Group, është vendosur në Ukrainën lindore.

“Rusët pritet të vendosin më shumë se 1000 mercenarë, duke përfshirë udhëheqës të lartë të organizatës, për të ndërmarrë operacione luftarake”, -tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Ndërkohë, objektiva të ndryshëm në Ukrainë po goditen me armatim të sofistikuar rus. Pala ruse pretendon se ka përdorur armë hipersonike në Ukrainë. Raketat janë jashtëzakonisht të shpejta dhe mund t'i shmangen përgjimit të radarëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se deri më tani janë verifikuar 43 sulme në spitale dhe objekte shëndetësore, ndërsa bëjnë thirrje për shmangien e një katastrofe humanitare dhe shëndetësore. Deri më tani, mbi 3.2 milionë civilë janë larguar nga Ukraina për në vendet fqinje sipas OKB-së.